Misioni

Në çdo vend të botës ekzistojnë ndërtesa që mbrohen nga shteti për arsye të vlerave që posedojnë. Ato kërkojnë mirëmbajtje dhe kujdes specifik në trajtim. Janë të ndjeshme sepse përfaqësojnë trashëgiminë e përbashkët kulturore. Edhe shteti ynë ka një listë të tillë, të mbrojtjes së ndërtesave- monumenteve.

Por, a e dini sa prej këtyre monumenteve edhe pse janë në Listë të Mbrojtjes, janë plotësisht të
shkatërruara?! A e dini sa prej tyre janë në gjendje shumë të keqe, e gati për tu rrënuar?!
Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova) në bashkëpunim me
organizatën EC Ma Ndryshe, gjatë vitit 2016 ka analizuar gjendjen fizike të 870 aseteve të
trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Si rezultat i hulumtimit është krijuar kjo platforma digjitale, e cili përmban Listën e aseteve
të trashëgimisë kulturore në rrezik – Lista e Trashëgimise në Rrezik. Të dhënat e paraqitura në
këtë platformë tregojnë gjendjen fizike të këtyre monumenteve arkitekturore dhe arkeologjike, të
nënkategorisë monument/ ansambël, në nivel vendi. Kjo listë synon të informoj komunitetin për
kushtet në të cilat ndodhet trashëgimia kulturore e vendit ku jetojnë, dhe njëherit i fton qytetarët
që të përfshihen në vlerësimin dhe ruajtjen e saj.

Mbledhja e informatave dhe analizave për dokumentimin e ndërtesave/ lokaliteteve është bërë
përmes hulumtimit në terren, intervistave me pronarë dhe institucione përgjegjëse lokale dhe
qendrore. Analizat strukturale të gjendjes së ndërtesave janë bërë në baza vizuale. Nga numri
total i aseteve të evidentuara, 138 prej tyre janë vlerësuar se janë në shkallë të lartë të
rrezikshmërisë.

Rishikimi dhe përditësimi i rregullt i të dhënave të regjistrit, na mundëson që të përcjellim
zhvillimet që ndodhin dhe të shqyrtojmë mënyrat për të sjellë ndryshime pozitive në të ardhmen.
Andaj, qëllimi kryesor është që së bashku, qytetarë, biznese e donator potencial të huaj dhe
vendorë të mbrojmë trashëgiminë kulturore në rrezik dhe të punojmë drejtë zvogëlimit të numrit të aseteve në këtë listë.

Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të investojmë kohën tonë, hulumtimet dhe resurset, për të
gjetur zgjidhje në përmirësimin e kushteve të trashëgimisë në rrezik, duke iu dhënë prioritet
rasteve më urgjente për intervenim.
Këtë rrugë që kemi nisur ne, mund ta vazhdojmë së bashku, qytetarë, biznese e donator potencial
vendorë dhe të huaj. Andaj, vlerësojmë kontributin e secilit që ndihmon në mbrojtjen e
trashëgimisë kulturore në rrezik!